Site icon Telegrafi

Spahiu: Jam mirë në kombëtaren turke

Fundori-organizator, Kenan Spahiu (Sipahi) vazhdon të mburret që është nga Kosova, por ka bërë të ditur se edhe për një kohë do të vazhdojë të luajë për Turqinë. Spahiu 20-vjeçar aktualisht është pjesë e skuadrës kampione të Turqisë, Karshiyaka. Pritet që në të ardhmen e afërt basketbollisti i lindur në Prishtinë të jetë organizatori i parë i përfaqësueses së Turqisë.

Përfaqësuesja "A" e Kosovës në basketboll të premten ka mësuar kundërshtarët për kualifikimet për "Eurobasket 2017". Prej 31 gushtit deri më 17 shtator, Kosova do të garojë në Grupin E kualifikues, ndërsa kundërshtarë do t’i ketë Slloveninë, Ukrainën e Bullgarinë. Do t’i ketë gjithsej gjashtë ndeshje. Është kjo pjesëmarrja e parë e Kosovës në kualifikime për evropian të basketbollit, shkruan sot Koha Ditore.

Përzgjedhësi Arben Krasniqi menjëherë ka nisur punën për të formuar skuadër sa më cilësore. Ai ka bërë të ditur se do të kontaktojë edhe Spahiun. Por, Spahiu thotë se nuk dëshiron që të interpretohet sikur ai nuk ka dëshirë të vijë të luajë për Kosovën apo se nuk është duke menduar për këtë. Por jep edhe argumentet se pse do të vazhdojë të luajë për Turqinë, që është forcë në Evropë për basketboll.

"Ky është hapi i parë për Kosovën që të inkuadrohet në arenën ndërkombëtare. Duhet të tregohet në arenën ndërkombëtare ku janë ekipet e forta. Unë si plejmejker kam deklaruar se jam pjesë e një projekti të shtetit dhe federatës turke. Mburrem si kosovar dhe mundohem që të eci me kohë. Federata e Turqisë më ka dhënë shumë raste, më përkrah për shumë vite, për plot nëntë vite dhe tash pret që të jam plejmejkeri i përfaqësueses", ka thënë Spahiu.
 

Exit mobile version