Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se rreth 30% e përdoruesve të aplikacionit SKY, tashmë i shpallur i paligjshëm, janë shqiptarë.
Sipas tij, mes përdoruesve 8000 prej tyre janë shqiptarë të cilët qëndrojnë në Shqipëri e prej tyre rreth 1000 diskutohet të jenë zyrtarë të lartë.
Spahiu theksoi se Europoli ka ngritur grupe të veçanta hetimi në Shqipëri dhe se mund të kemi arrestime të zyrtarëve që e kanë përdorur këtë aplikacion.
“Aplikacioni SKY është një lloj rrjeti komunikimi i cili është konsideruar shumë i besueshëm. Përdoruesit e SKy kanë përdorur aparate celular të vlerës afro 2000 euro dhe kanë pasur një abonim deri në 1200 euro të cilët siguronin një lloj sigurie në komunikimin e tyre.
Është e çuditshme që pas anglishtes, shqipja është gjuha e dytë në përdorim. Rreth 30% e përdoruesve janë shqiptarë. 8000 janë përdorues direkt në Shqipëri, nga këta afro 1000 subjekte dyshohet se janë zyrtarë. Pra aty mund të kemi nivele deputetësh, ministrash, shefa policie, gjyqtarë, prokuror, doganier, avokat, ekspert, kontrollues, ushtarak. Kjo nuk do të thotë se 100% e tyre kanë kryer vepra penale.
Europoli ka ngritur grupe të veçanta hetuesish, ka një grup që po heton në Shqipëri për faktin se edhe vetë numri i lartë i përdoruesve është nga Shqipëria”, u shpreh Spahiu në Euronewsal.