Ish ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, është shprehur se administrata e re e SHBA-së me në krye Joe Biden do të ketë një fokusim të ri rreth çështjes së Kosovës dhe marrëveshjen me Serbinë.
“Kjo është inkurajuese dhe shpresoj që tani do të vazhdojë angazhimi amerikan dhe do të na afrojë drejtë dialogut të vërtetë nga ajo që kemi parë deri më sot”, tha Spahiu, për Klan Kosova.
“Qëndrimi i ri i Biden në mënyrë të prerë kërkohet që Serbia ta njohë Kosovën. Ndonëse ajo quhet njohje e dyfishtë në letrën e tij, por me rëndësi është që Serbia të bëjë lëvizje nga qëndrimi i saj i shtangur ndaj Kosovës. Kjo paralajmëron se SHBA do ta kenë një rol më të fuqishëm kundruall Serbisë. Amerikanët duan t’i përshpejtojnë gjërat në këtë aspekt dhe të bëhen ndoshta pjesë e dialogut”, është shprehur Spahiu.
Spahiu ka thënë se presioni do të jetë më i madh ndaj Serbisë, si nga ana e SHBA-së, ashtu edhe BE-së.