Site icon Telegrafi

Southgate mund të bëjë një rikthim befasues si trajner i një klubi në Ligën Premier

Gareth Southgate thuhet se është në garë për t’iu bashkuar një klubi befasues të Ligës Premier vetëm tre muaj pasi u largua nga posti i trajnerit të Anglisë pas Kampionatit Evropian ‘Gjermani 2024’.

Pas tetë vitesh në krye të Tre Luanëve, Southgate njoftoi se do të jepte dorëheqje si trajner i kombëtares së Anglisë në korrik, pas humbjes 2-1 të skuadrës së tij ndaj Spanjës në finalen e Euro 2024.

Që nga largimi nga puna në Angli, Southgate është lidhur rregullisht me Manchester United mes presionit në rritje ndaj trajnerit aktual Erik ten Hag.

Por tani, një raport i ri ka zbuluar se një tjetër skuadër surprizë e Ligës Premier po mendon të rikthejë Southgate në futbollin e klubeve.

Sipas mediumit The Guardian, Southgate po konsiderohet si një zëvendësues i menaxherit të Crystal Palace, Oliver Glasner, i cili po përballet me presion pas një fillimi të zymtë të sezonit 2024/25 në Ligën Premier.

Kështu, klubi londinez ndodhet i 18-ti në tabelën e kampionatit me tre pikë nga tetë ndeshje dhe ende nuk ka fituar asnjë ndeshje këtë sezon për herë të parë që nga viti 1992.

 

Pavarësisht kësaj, Glasner ende mbështetet nga shumica e bordit pasi ai bëri përshtypje sezonin e kaluar, por ai do të zëvendësohet nëse forma e fundit vazhdon dhe ata mbeten pa fitore në Ligën Premier deri në pushimin ndërkombëtar të nëntorit.

Përpara se të merrte detyrën e Tre Luanëve, roli i vetëm i Southgate si menaxher ishte me Middlesbrough, të cilin ai e drejtoi për tre vjet midis 2006 dhe 2009 përpara se të shkarkohej në tetor 2009 menjëherë pasi klubi kishte rënë nga Liga Premier.

Bordi i Crystal Palace thuhet se po konsideron gjithashtu edhe ish-trajnerin e Chelseat, Graham Potter dhe ish-menaxherin e Ëest Ham, David Moyes, si zëvendësues të tjerë të mundshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version