Sot (e enjte) është paraparë të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në futsall, ku do të ndeshjen Prishtina 01 dhe Liqeni.
Klubi kryeqytetas dhe ai drenicas janë gati për finalen e madhe e cila pritet të zhvillohet sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nga ora 20:00.
Lideri aktual i kampionatit, Prishtina 01 dhe kampioni në fuqi, Liqeni, janë dy nga skuadrat kryesore të futsallit të Kosovës dhe spektakli do të jetë i garantuar në këtë finale.
Prishtina 01 dhe Liqeni janë përballur dy herë kundër njëra-tjetrës në edicionin aktual të futsallit të Kosovës. Të dyja ndeshjet i ka fituar thellë Prishtina 01 – njërën me rezultat 5-1, ndërsa tjetrën 5:2.
Ndryshe, prishtinasit deri në finale patën rrugë relativisht të vështirë duke eliminuar rivalët lokal, FC Prishtinën, mitrovicasit e Trepçës dhe Malishevën.
Ndërkohë, Liqeni deri në finale të Kupës pati rrugë dukshëm më të lehtë duke eliminuar Jetonin e Ligës së Parë, ndërsa ndaj Vjosës fitoi me rezultat zyrtar. Në finale, drenicasit u kualifikuan pa lojë. /Telegrafi/