Sot (e enjte) janë në orar për t’u zhvilluar edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 33-të në Superligën e Kosovës.
Gjatë të mërkurës janë zhvilluar tri ndeshjet e para, ku kanë ardhur rezultate të pritura.
Prishtina ka triumfuar 0-3 te Besa, Feronikeli ka mposhtur Trepçën ’89 po ashtu me rezultat 3-0, ndërsa derbi lokal Gjilani-Drita u mbyll 1-1.
Interesant pritet të jetë edhe në dy ndeshjet e sotme, pasi luhet për titull kampion dhe për mbijetesë.
Ballkani pret Arbërinë në “Stadiumin e Qytetit” në Suharekë, me vendasit që duan fitore për të mbetur fuqishëm në garë për titull, ndërsa mysafirët duan rezultat pozitiv për të mbetur në garë për të mbijetuar.
Ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe në Skenderaj, me Drenicën që e pret Llapin në stadiumin “Bajram Aliu”, me dy skuadrat që rrezikojnë barazhin ose rënien nga kategoria.
Të dy ndeshjet pritet të fillojnë nga ora 15:00. /Telegrafi/