Telegrafi

Sot votohet për mandatin e EULEX-it

Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës, ku përveç tjerash pritet të shqyrtohen edhe dy projektligje që kanë të bëjnë me vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë.

Në këtë seancë, fillimisht pritet të votohet raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2015, raporti i Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015, si dhe raporti i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2015.

Pas votimit të këtyre raporteve, deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.