Telegrafi

Sot votohet për Kosovën në Bankën Botërore

Kusht për anëtarësim në Bankën Botërore ishte edhe anëtarësimi paraprak në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa një kusht tjetër qe edhe miratimi nga Kuvendi i Kosovës i ligjit për anëtarësimin e Kosovës në Fondin
Monetar Ndërkombëtar dhe në Organizatat e Grupit të Bankës Botërore.

Anëtarësimi në Bankën Botërore do të përfshijë edhe organizmat e tjerë që janë në Bankën Botërore, si Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe
Zhvillim, Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar e të tjera.

Ashtu si edhe në FMN, anëtarësimi Bankën Botërore nuk kushtëzohet me anëtarësim paraprak në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, mirëpo e ndihmon mjaft shumë hapjen e mëtejme të rrugës së Kosovës për anëtarësim në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë.

Një zyrtar i Bankës Botërore në Washington tha për RTK-në se është pothuajse i sigurt anëtarësimi i Kosovës, ndërsa nuk mundi të precizonte se kur do të jepet lajmi zyrtar.

Ai shtoi se një anëtar i ri në Bankën Botërore pranohet me shumicë votash nga ana e Guvernatorëve, ndërkaq fuqinë votuese me shumicë në Bankën Botërore, ashtu si edhe në FMN, e kanë vendet perëndimore, shumica e të cilave edhe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Banka Botërore është krijuar në dhjetor të vitit 1945 dhe ashtu siç e thotë edhe emri i saj, ajo është një bankë ndërkombëtare që ofron ndihmë financiare dhe teknike vendeve në zhvillim dhe si mision të saj të deklaruar ka zvogëlimin e varfërisë. /rtk/