Në Gjykatën Penale të Shkupit sot do të vazhdojë gjykimi për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.
Seanca e sotme është dashur të mbahej dje, por për shkak të obligimeve të prokurores Vilma Ruskovska, u anulua për sot, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në seancat e fundit janë prezantuar SMS porositë nga celularët e disa personave të akuzuar, mesin e të cilëve edhe të ish-kryetarit Trajko Veljanoski.
Në gjykatë kanë qenë të pranishëm të gjithë 33 të akuzuarit, përveç Sasho Markovksit për të cilin për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është ndarë procedura.
Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Dobrilla Kacarska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson Vilma Ruskovska dhe Ivana Trajçevska.
Për ngjarjet e 27 prillit të akuzuar janë 33 persona, prej të cilëve 31 për veprën “terrorizëm” dhe dy të tjerë për veprën “nxitje”./Telegrafi/