Sot në Gjykatën Penale në Shkup duhet të vazhdojë gjykimi për lëndët e Prokurorisë Speciale “Titanik 3” dhe “Thesari”.
Në lëndën “Titanik 3” të akuzuar janë deputeti i BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri, pasi dyshohen se si anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar material zgjedhor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Të akuzuarit në seancat paraprake thanë se kuptojnë akuzën e prokurorisë, të cilën e prezantoi Fatime Fetai, ndërsa thanë se nuk ndjehen fajtorë.
Seanca e fundit për këtë lëndë nuk u mbajt për shkak të mungesës së deputetit Ejup Alimi, i cili duhej të ishte prezent në seancë kuvendore.
Ndërsa në lëndën “Thesari” të akuzuar janë Sasho Mijallkov, Toni Jakimovski, Nebojsha Stajkoviq dhe Goran Grujevski, i cili ndodhet në Greqi.
Ata ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me çka i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 862.045 euro për blerjen e pajisjeve elektronike për nevojat e Drejtorisë së Pestë të DSK-së./Telegrafi/