Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do të vazhdojë diskutimin për Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve në lexim të parë. Kjo do të jetë dita e gjashtë që deputetët debatojnë për nevojën e sjelljes së një ligji të këtillë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Seanca për këtë pikë u ndërpre mbrëmë 15 minuta pas orës 2 me kërkesë të deputetëve të OBRM-PDUKM-së.
Në diskutimet e deritanishme kanë folur mbi dhjetë deputetë nga gjithshej 70 të paraqitur për fjalë. Deputetët e opozitës akuzojnë se ligji është jokushtetues dhe kërkojnë tërheqje të tij, ndërsa sipas shumicës parlamentare ligji është në pajtim me Kushtetutën dhe me të nuk vihet në rrezik karakteri unitar i shtetit.
Sipas paralajmërimeve të kryetarit të Kuvendit, për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet lokale më 25 shtator, pritet që këtë fundjavë Kuvendi të ndërpresë punën./Telegrafi/