Komisioni për çështje evropiane sot duhet ta vazhdojë seancën në të cilën do të diskutojë për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, në leximin e parë.
Me këtë propozim-ligj parashihet realizimi i një nga pikave të Marrëveshjes së Ohrit në fushën e përdorimit të gjuhëve, gjegjësisht gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për propozuesin dhe deputetët e shumicës, ligji është pjesë e rrugës euroatlantike dhe në asnjë mënyrë nuk e shkel as Kushtetutën, as karakterin unitar të shtetit.
Ndërsa për deputetët e opozitës ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë dhe rrënon karakterin unitar të shtetit. Deputeti Antonio Milloshoski gjatë seancës së djeshme kërkoi që të largohet flamuri evropian nga ky propozim-ligj, pasi siç tha, bëhet keqpërdorim i tij.
Debati për këtë ligj duhet të zgjasë tre ditë./Telegrafi/