Dy ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot pritet të udhëtojnë për në Hagë. Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa janë thirrur për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.
Nuk është bërë e ditur ende nëse Lushtaku e Mustafa janë ftuar si të dyshuar, si të akuzuar apo si dëshmitarë.
Sami Lushtaku gjatë kohës viteve 1998/99 ka komanduar luftëtarët e UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, ndërsa Rrustem Mustafa ata të Zonës Operative të Llapit.
Të dy janë gjykuar për krime të pretenduara ndaj civilëve.
Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress avokati Arianit Koci, i cili do të udhëtojë bashkë me ish-komandantin e Zonës së Drenicës dhe atë të Zonës së Llapit.
Koci, i cili udhëton në cilësinë e avokatit mbrojtës, ka theksuar se udhëtimi i tyre do të realizohet përmes linjës së rregullt ajrore, e jo me aeroplan special, siç ishte spekuluar në media.
Lushtaku e Mustafa nuk janë eprorët e vetëm të UÇK-së që janë ftuar nga Gjykata Speciale.
Sipas kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, nga Gjykata e Hagës janë ftuar 11 luftëtarë.
“Nuk dua të spekuloj por, për momentin janë ftuar diku 11 vetë, i dimë emrat dhe mbiemrat por kolegët nuk i kanë bërë publike, por ne i dimë”, tha dje Gucati.
Gucati gjithashtu e quajti Gjykatën Speciale të panevojshme dhe raciste.
Së paku një prejt të ftuarve nga Gjykata e Hagës ka thënë se nuk do t’i përgjigjet ftesës.
Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, ka paralajmëruar se nuk do t’i përgjigjet kësaj ftese.
Madje, ai u ka bërë thirrje edhe bashkëluftëtarëve të tij që të veprojnë njëjtë.
tesat për t’u paraqitur në Hagë ish-luftëtarët kanë nisur t’i marrin në fillim të muajit dhjetor 2018.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut kishte reaguar për shkak se në këto ftesa nuk shkruante nëse të ftuarit janë në cilësinë e të dyshuarit, të akuzuarit apo të dëshmitarit. /Telegrafi/