Site icon Telegrafi

Sot u dorëzua çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2016

Artistit figurativ, Bllagoja Manevski, shkrimtarit Raim Ganiu, pianistes Elena Misirkova dhe aktorit Atila Klinçe, sot, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë iu dorëzua çmimi shtetëror “11 Tetori” për vepër jetësore në sferën e kulturës dhe artit për vitin 2016, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Vendimin, muajin e kaluar e solli Këshilli për ndarjen e çmimit “11 Tetori”. Kjo është mirënjohja më e lartë për vepër jetësore në sferën e shkencës, artit, ekonomisë dhe veprimtarive të tjera të interesit publik në Republikën e Maqedonisë. Çmimet ua dorëzoi kryetari i Këshillit, akademiku Mitko Maxhunkov, i cili në fjalimin e tij foli për rëndësinë e shtetit dhe shtetësisë.

Në emër të katër fituesve të çmimit shtetëror “11 Tetori” foli pianistja Elena Misirkova, e cila është pasardhëse e themeluesit të lingustikës maqedonase, Kërste Petkov Misirkov.

Ajo është artista e parë nga Maqedonia e cila ka mbajtur koncert solistik në “Karnegi holl” në Nju-Jork. Ka interpretime të shumta në festivale të rëndësishme në Maqedoni, Austri dhe nëpër botë, ndërkaq prej vitit 2007 e mban titullin ambasadore nderi e kulturës së Maqedonisë në Austri.

Artisti, prof. Bllagoja Manevski, ka krijuar vepra të shumta figurative të cilat e kanë prezantuar Republikën e Maqedonisë në manifestime elitare artistike nëpër botë, mes të cilave edhe në Bienalen prestigjioze të Venecies. Ka kontribut të madh edhe në zhvillimin e arsimit figurativ dhe pedagogji.

Raim Ganiu është poet dhe romansier dhe njohës i filozofisë, i pranishëm në një numër të madh të antologjive. Kritikët letrar e kanë vlerësuar si krijues shumë produktiv dhe shkrimtar kompleks, i konfirmuar me vlera më të larta estetike-artistike.

Atila Klinçe është aktor, 13 vite profesor në Fakulotetin për arte dramatike dhe drejtor i Teatrit turk-Shkup. Ka luajtur në mbi 70 role teatrale dhe disa herë është shpërblyer. Ka merita për publikiminn e monografive për institucionin që e udhëheqë dhe për 48 projekte të realizuara me çka e ka ngritur Teatrin turk në një nga shtëpitë kryesore të teatrove. /Telegrafi/

Exit mobile version