Saktësisht sot tetë vjet më parë, ndodhi momenti më dramatik në historinë e Ligës Premier dhe aktori kryesor ishte ylli argjentinas, Sergio Aguero.
Më 13 maj të vitit 2012 ndodhi një gjë e cila nuk do të harrohet asnjëherë nga tifozët e futbollit, në veçanti ata të Ligës Premier dhe Manchester Cityt.
Qytetarët në këtë ditë, tetë vjet më parë arritën ta rrëmbejnë titullin e tretë në histori të kampionatit anglez, pas një pritje prej plot 44 vitesh.
#onthisday in 2012…
Well, you know the rest by now! #mancity pic.twitter.com/318iWkyo75
— Manchester City (@ManCity) May 13, 2018
Megjithatë, deri tek fitorja e këtij titulli, skuadra e drejtuar në atë kohë nga Roberto Mancini, vuajti shumë dhe pa “të zinjtë e ullirit”.
Goli i fitores apo thënë më ndryshe goli i titullit erdhi vetëm në minutat e shtesë, kur shpresa veçse ishte venitur.
City dhe Unitedi ishin me pikë të barabarta, por Qytetarët kishin përparësi diferencën e golave dhe ndeshja e fundit do të vendoste gjithçka.
Pas fitores së Djajve të Kuq gjithçka u vështirësua për Cityn, edhe pse mbyllën pjesën e parë me epërsi 1-0 falë golit të Pablo Zabaletas (39’).
Djibril Cisse (48’) barazoi rezultatin në 1-1, Jamie Mackie (66’) vështirësoi gjithçka duke shënuar për 1-2 dhe presioni shkoi në kulm për Cityn.
Minutat e fundit ishin shumë dramatike dhe City tentonte me të gjitha mënyrat për t’u kthyer në lojë dhe atë e arriti vetëm në shtesë me Edin Dzekon, i cili shënoi në 90+2 golin e barazimit 2-2.
Ndërsa goli i fitores erdhi dy minuta më vonë dhe ishte Aguero, i cili shënoi golin e titullit apo atë që po cilësohet si më dramatiku në historinë e Ligës Premier duke ia dhuruar ekipit të tij titullin e tretë në histori. /Telegrafi/