14 Nëntori është Dita Botërore e Diabetit, ndërsa mjekët e shoqatat për mbrojtje dhe edukim të diabetikëve, bashkohen në një zë të fuqishëm për vetëdijesim dhe parandalimin e kësaj sëmundje.
Ass.dr.Merita Emini Sadiku, Mr.sci,Dr.sci
Interniste-endokrinologe-diabetologe
Këtë vit tema e fushatës kryesore për shënimin e kësaj dite është “Sytë kah diabeti”, duke promovuar në këtë mënyrë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të diabetit tip 2, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut për komplikime serioze.
Sëmundja e sheqerit ose Diabetes mellitus është një gjendje kronike e cila lajmërohet kur trupi nuk mund të prodhojë insulinë mjaftueshëm ose nuk mund të përdorë insulinën duke bërë që sheqeri në gjak të rritet.
Insulina është një hormon, i cili prodhohet në pankreas i cili bënë transportimin e glukozës nga gjaku në qelizat e trupit, aty ku shfrytëzohet për energji. Kjo rritje e sheqerit në gjak, me kalimin e kohës bënë që të ndodhin dëmtime në mjaft inde të trupit duke bërë zhvillimin e komplikimeve të ndryshme të cilat mund të jenë jetë-kërcënuese.
Diabeti është një prej emergjencave më të mëdha të shekullit 21. OBSH e vlerëson që niveli i lartë i glikemisë është rreziku i tretë madhor për mortalitet të hershëm, pas tensionit të lartë të gjakut dhe pirjes së duhanit.
Sipas IDF prevalenca e diabetit në botë sot është 8.8%, në Evropë 9.1%, Bosnje dhe Hercegovinë 13%, në Serbi 13.2%, në Shqipëri 12%, në Slloveni 10.7% dhe në Kroaci 6.8%. Ne, duke mos qenë pjesë direkte e OBSH dhe IDF, nuk kemi statistika të sakta për shtrirjen e diabetit në Kosovë, por përllogaritet të jetë diku 10-12%.
Deri në vitin 2015 llogariten 415 milion të rritur me diabet në botë, ky numër pritet të rritet deri në 642 milion në vitin 2040.
Llogaritet që deri në 70% të diabetit mund të parandalohet ose të vonohet duke adaptuar stilin e shëndetshëm të jetesës.
Në shumë vende diabeti është shkaku kryesorë i verbimit, sëmundjeve kardiovaskulare, insuficiencës së veshkave dhe amputimeve të gjymtyrëve të poshtme.
Shumë të rritur me diabet tip 2, jetojnë për një periudhë disa vjeçare pa e ditur se e kanë diabetin. Në kohën kur diagnostikohen, atëherë edhe komplikimet janë prezente.
Ashtu si edhe në vendet e tjera të botës, edhe në Kosovë, ushqimi jo i shëndetshëm, obeziteti, jeta sedentare, vlerësohen të jenë shkaktarët kryesorë të diabetit. Por ne bëjmë përjashtim nga vendet tjera duke ndërlidhur edhe një shkak tjetër siç është komponenta psikosociale si vend i dalur nga lufta me një zhvillim të ngadalshëm ekonomik për shkak të rrethanave të ndryshme.
Këtë vit tema e fushatës kryesore për shënimin e kësaj dite është “Sytë kah diabeti” duke promovuar në këtë mënyrë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të diabetit tip 2 me qëllim të zvogëlimit të rrezikut për komplikime serioze.
Në kuadër të kësaj fushate do të ketë aktivitete të ndryshme institucionale publike dhe sektori privat nga OJQ-të dhe mediet. /Telegrafi/