Site icon Telegrafi

Sot takimi i radhës Thaçi-Vuçiq 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen sërish në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Takimi pritet të mbahet në orët e mëngjesit.

Takimi ndodhë pak ditë pasi që të dy presidentët kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedime, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Ndryshe, presidenti i vendit, Hashim Thaçi një ditë më parë tha se asnjëherë në Bruksel nuk është shtruar çështja e ndarjes së Kosovës.

Ai tha se arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ligjërisht e obligueshme do të jetë vështirë e arritshme, por sipas tij, nëse kjo marrëveshje arrihet atëherë do të kishte kuptim vetëm nëse shteti i Kosovës njihet nga Serbia dhe Kosova anëtarësohet në OKB.

Sipas tij, nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëmbim territoresh dhe Asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por do të ketë vetëm korrigjim kufijsh, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. /Telegrafi

Exit mobile version