Ende nuk dihet nëse ekipet e KSHZ-së do të arrijnë që sot të përfundojnë kontrollin në terren të 89.383 votuesve fiktivë që figurojnë në listën zgjedhore.
Nga KSHZ nuk deshën që për Televizionin Shenja të komentojnë se deri ku është kontrolli si dhe sa është numri i të dhënave tanimë të kontrolluara. Ata thanë se brenda ditës do të informojnë pas përfundimit të mbledhjes së anëtarëve të KSHZ-së.
Afati për kontroll të votuesve të dyshimtë në terren skadon sot, ndërkaq dje nga KSHZ, thanë se gjithçka po shkon sipas planit dhe se gjithçka do të zbatohet në kohë.
Më 28 dhe 29 maj janë kontrolluar mbi 20 mijë votues, ndërkaq deri në skadimin e afatit, duhet të kontrollohen edhe rreth 60 mijë votues të dyshimtë.
Të paktën dhjetë në komuna të Maqedonisë KSHZ-ja tashmë i ka kontrolluar. Komunat ku kontrolli shkon më vështirë janë Karposhi dhe Kumanova, ndërsa vendet me më shumë votues të dyshimtë janë Çairi- ku janë konstatuar 17 mijë votues të dyshimtë, më tej është Tetova, Gostivari, Kumanova, Karposhi, Gazi Baba dhe komuna Qendër.
Pas kontrolleve në terren të 89.383 votuesve, rezultatet e grumbulluara do të sistematizohen dhe do të rikontrollohen në mënyrë administrative. Raporti i KSHZ-së nxorri afro 300 mijë votues të dyshimtë që duhej ti nënshtrohen kontrolleve plotësuese, por më pas filtroi diasporën dhe disa katergori të tjera që vlerësoi se mjafton të kontrollohen vetëm në mënyrë administrative. Pas mbarimit të kontrollit më 17 prill, lista përfundimtare zgjedhore do të publikohet në mënyrë që gjithë qytetarët të kenë mundësi për kontroll.
Kujtojmë, se ditë më parë, organizata joqeveritare MOST, propozoi ndryshim të katër ligjeve, me qëllim që të shpejtohet pastrimi I listës zgjedhore. Sipas “MOST”, për pastrimin e listës zgjedhore sipas vendimeve të propozuara ligjore do të nevojiten 70 ditë, ndërkaq sipas vendimeve aktuale ligjore, për të pasur listë të pastër zgjedhore, do të duhen 1 deri në 1 vit e gjysmë./Telegrafi/