Site icon Telegrafi

Sot, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Rrethi i vrasjeve një trup në liqen” nga autorja Iva Procházková

Të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që sot, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nëna Terezë”) do të bëhet promovimi i librit “Rrethi i vrasjeve: një trup në liqen” nga autorja Iva Procházková në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga “Evropa Kreative”.

Jua rikujtojmë se “Dukagjini” është shtëpia e parë botuese nga Kosova që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa Kreative”, me mbështetjen e të cilit botohet “Rrethi i vrasjeve: një trup në liqen” nga autorja Iva Procházková.

Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:

Ledjona Toni, përkthyese e librit dhe

Vlora Ademi, studiuese, poete.

Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi, nga shtëpia botuese “Dukagjini”, njëherësh edhe redaktore e librit.

Shënim për librin:

“Rrethi i vrasjeve: një trup në liqen” nga autorja Iva Procházková është pjesë e kolanës “Effugium”, në kuadër të projektit kulturor “Evropa Kreative”, me tematikë krimin. Ngjarja thellohet në faktorët psikologjikë dhe në marrëdhëniet komplekse të njerëzve dhe të dëshmitarëve që kanë lidhje me vrasjen e një zyrtari policor, në një labirint hetimesh që në krye ka Holinën, i cili përdor metoda të pazakonshme për të hetuar rastin. Stili i narracionit të autores kombinon elemente të dramës psikologjike, duke i mbajtur lexuesit me vete, në një histori që eksploron kompleksitetet e psikikës njerëzore, ndërsa përpiqet të zgjidhë misterin.

Shënim për autoren:

Iva Procházková është autore e prozës për fëmijë dhe të rritur, dramaturge dhe skenariste. Vjen nga një familje shkrimtarësh – është motra e shkrimtares Lenka Procházková dhe e bija e shkrimtarit Jan Procházka, i cili në vitin 1968 u bë një nga figurat kryesore të “Pranverës së Pragës”. Pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, ai ishte në shënjestër si armik i shtetit. Për arsye politike, asaj iu mohua të studiojë në Akademinë e Filmit. Pasi shfaqjet e saj u ndaluan nga regjimi, emigroi në Austri, ku së bashku me bashkëshortin e saj punoi disa projekte teatrale, teksa vetë shkroi letërsi për fëmijë dhe të rritur. Ajo ka një ndikim të madh në kulturën letrare çeke dhe është nderuar me çmimet “Magnesia Litera” më 2008 dhe 2010, si dhe “Golden Ribbon”. Jeton në Pragë.

Promovimi është një mundësi e mirë për takim e diskutim më të afërt rreth librit!

 

Exit mobile version