Me moton “Shijo djathin e vërtetë, 100% nga qumështi”, fushata shënon sot ditën ndërkombëtare të qumështit dhe ka për qëllim informimin e qytetarëve të Kosovës mbi rëndësinë dhe dobitë e konsumimit të djathit vendor 100% nga qumështi.
Dita ndërkombëtare e qumështit në Kosovë fillon me ceremoninë kryesore më 1 Qershor, e cila do të organizohet me fillim prej orës 11:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë shumë mysafir edhe përfaqësues nga USAID, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Shoqata e Prodhueseve të Qumështit (SHPQK) dhe Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK).
Për të shënuar ditën ndërkombëtare të qumështit do të ketë aktivitete të ndryshme ku do të marrin pjesë të gjitha qumështoret e Kosovës me produktet e tyre dhe në të njëjtën kohë do t’i shpërndajnë produktet e qumështit fëmijëve për të festuar edhe ditën e fëmijëve. Aktivitetet do të përcillen edhe me maskotën e fushatës përmes së cilës fëmijët mund të realizojnë foto te ndryshme. Aktivitetet për promovimin e djathit do të vazhdojnë edhe pas datës 1 qershor me disa aktivitete tjera për fëmijë duke përfshirë turneun e autobusit për të vizituar prodhuesit e djathit 100% nga qumështi si dhe prezantimet në shkolla me qëllim të informimit të fëmijëve për dobitë e këtij lloj djathi.
Djathi 100% nga qumështi, është produkt vendor me kualitet të lartë dhe përmban përbërësit e nevojshëm si proteinat, mineralet, dhe vitaminat. Fushata “Shijo djathin e vërtetë, 100% nga qumështi” synon qe përmes implementimit të aktiviteteve të ndryshme siç janë promovimet në emisionet e gatimit, promovimet në super markete, vizitat që do t’u bëhen prodhuesve të djathit, prezantimeve të realizuara në shkolla, krijimit dhe publikimit të materialeve promovuese, videove të shkurta, artikujve, dhe mediave online, të ndikojë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e konsumimit të djathit 100% nga qumështi.
Pas rezultateve pozitive në shitjet e qumështit të freskët, suksesi i fushatës “Qumështi i vendit tim” ka ndikuar që së bashku me Shoqatën e Prodhueseve të Qumështit (SHPQK) dhe Shoqatën e Qumështoreve të Kosovës (SHQK) përmes bashkëpunimit strategjik me partnerët gjegjësisht me USAID-in, Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) të vazhdojmë me fushatën për promovimin e djathit 100% nga qumështi.