Kriza e ujit po vazhdon të jetë një fenomen shqetësues për popullsinë botërore, të cilët po përjetojnë kohë të vështira, në pamundësi për të pasur ujë të mjaftueshëm.
Dita Botërore e Ujit shënohet për çdo vit më 22 mars, e cila ditë është përcaktuar me rezolutën e OKB-së në dhjetor të vitit 1992.
Me shënimin e kësaj dite OKB-ja ka për qëllim të rritë rëndësinë e mbrojtjes së ujërave dhe mungesën e ujit të pijshëm në shumë vise të botës.
Dita e parë Botërore e Ujit është shënuar me 22.03.1993. Kjo ditë shënohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit për pirje dhe me qëllim të apelimit te të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit për pirje.
Për çdo vit në Ditën Botërore të Ujit theksohen aspektet specifike të ujit për pirje siç janë: Uji për qytete, Kualiteti i Ujit, Ujerat Ndërkufitare, Uji dhe Kultura etj.
Ekspertët vlerësojnë që rreth 1.1 miliardë njerëz nuk kanë qasje në ujë për pirje, kurse 2,5 miliardë njerëz nuk i kanë të siguruara kushtet elementare higjieno-shëndetësore. Gjashtë mijë fëmijë më të vegjël se pesë vjeç për çdo ditë vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga uji i ndotur, kurse më shumë se pesë milionë njerëz në vit, e cila është dhjetë herë më shumë se numri i atyre të vrarë në të gjitha luftërat vjetore në botë.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë mjaft të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve të klimës.