Pa paralajmërime për ndryshime të qëndrimeve, grupet e punës së LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së sot sërish do të takohen, për të diskutuar dhe përafruar qëndrimet për statusin e ardhshëm të Prokurorisë Speciale.
Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, tek Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar tre parime në të cilat do të insistojë të zbatohen në propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, gjegjësisht zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me prokurorinë dhe prokurorët, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, neutralitetin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë thonë se “deri tani OBRM-PDUKM-ja ka treguar se amnistia e personave që kanë kryer krime të rënda nga radhët e partisë, është prioritet për ta, përkundër integrimit të vendit”.
Takimi i parë mes grupeve të punës së LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së u mbajt të hënën, takim në të cilin nuk u arrit marrëveshje. Në këto takime ku diskutohet për Ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin do të rregullohet edhe statusi i Prokurorisë Speciale, partitë shqiptare nuk marrin pjesë./Telegrafi/