Site icon Telegrafi

Sot seanca e Këshillit të Sigurimit për zhvillimet në Kosovë

Seanca e sotme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit do të diskutojë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm që përfshin periudhën e zhvillimeve nga 16 tetori i vitit të kaluar deri më 15 janar të këtij viti.

Raporti i Sekretari Ban Ki moon, megjithëse nuk përfshin zhvillimet nga gjysma e janarit dhe shkurti i këtij viti, ai është mjaft kritik ndaj partive opozitare duke i akuzuar drejtpërdrejt për dhunë në rrugë dhe në Kuvendin e Kosovës, raporton RTK.

“Vazhdimi i përdorimit të dhunës dhe retorika nxitëse nga partitë opozitare, të cilat rezultuan me ndërprerje të punimeve të Kuvendit dhe përshkallëzuan tensionet në rrugët e Kosovës, përbën një shqetësim serioz”, thotë Ban Ki-moon.

Në raportin e tij Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar edhe vendimin, përkatësisht vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese në procesin e krijimit të Asociacionit të komunave serbe si një hap të rëndësishëm për të theksuar se ‘procedurat e rëna dakord rreth krijimit të Asociacionit nuk po përmbushin afatet e caktuara kohore’.

Kosovën edhe kësaj radhe do ta përfaqësojë ambasadorja në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, një vendim ky i Qeverisë së Kosovës që të ulë nivelin e përfaqësimit nga kryeministri apo ministri i Jashtëm në përfaqësimin me ambasador edhe për arsyen e rolit të zbehur të UNMIK-ut në Kosovë.

Kjo është bërë në konsultime me aleatët, na thotë një burim i afërt me qeverinë, ndërsa anëtarët e përhershëm, SHBA dhe Britania e Madhe tash dy vjet kanë kërkuar rrallimin e seancave për Kosovën në dy herë në vit nga çdo tre muaj, siç është tani, një ide që është kundërshtuar nga anëtari tjetër i përhershëm, Rusia.

Mbledhja fillon në orën 3 pasdite sipas kohës në New York dhe mbahet nën presidencën e Venezuelës e cila e kryeson Këshillin këtë muaj sipas radhës.

Exit mobile version