Telegrafi

Sot proteston PD-ja

Partia Demokratike në Shqipëri sot mban protestë kundër Qeverisë Rama. Protesta është paraparë të fillojë në ora 12:00, por nuk dihet se kur do të përfundojë, pasi siç është paralajmëruar janë qytetarët ata që do të vendosin për përfundimin e saj.

Në një thirrje të fundit për pjesëmarrje, Lulzim Basha foli për një vendim të madh.

“Jam i bindur se e nesërmja do të jetë një festë gjigante demokracie, shprehja më e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve për t’i dhënë fund së keqes, për të marrë së bashku një vendim të madh nesër për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do ta marrim së bashku aty, të gjithë së bashku, të gjithë qytetarët”, tha Basha.

Demokratët e lidhin këtë vendim me një përpjekje për të detyruar kryeministrin Rama të japë dorëheqjen. Opozita e akuzon kryeministrin për mungesën e vullnetit për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por nga skenari i 18 shkurtit tani për tani njihet vetëm koha e nisjes së protestës.

“Fillimi i protestës është përcaktuar nga Partia Demokratike, nga opozita në orën 12:00. Qytetarët janë ata të cilët do të vendosin kohëzgjatjen dhe mbarimin e protestës, pa dyshim me fitore. Me fitore qytetare, të kauzës qytetare”, tha Basha.

Megjithatë, një vendim është marrë, protesta do të jetë paqësore, pavarësisht nëse vendimi i madh do të jetë për një qëndrim të gjatë përpara kryeministrisë, apo për zgjerim të protestës në të gjithë vendin.

Ndryshe, Policia në Tiranë, ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për zhvillimin e protestës nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Rrugës “Ismail Qemali” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Si rrjedhojë e këtij marshim – proteste, do të ketë bllokime të pjesshme të trafikut në segmentet rrugorë: Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Zhan D’Ark”, Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Bajram Curri”.

Ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve në segmentet rrugorë:

Nga kryqëzimi i Rrugës “Myslym Shyri” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me Rrugën “Ismail Qemali”, nga ora 12:00 deri në orën 16:00.