Site icon Telegrafi

Sot protestojnë punëtorët e Llamkos-it

Mbi 450 punëtorë të Fabrikës për Përpunimin e Llamarinës “Llamkos“ të Vushtrrisë, dikur një gjigand industrial dhe shtyllë e fortë e ekonomisë në Kosovë, nesër do të protestojnë para objekteve të kësaj ndërmarrje për shkak të situatës së krijuar si pasojë e inicimit të procesit të falimentimit të blerësit të kësaj ndërmarrje, kompanisë “Coresteel”.

Kompania “Coresteel’’ Shpk, si blerës i aseteve të ndërmarrjes së Re “Llamkos Steel” Sh,p.k., me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë numër 1/2015, datë 23.01.2015, është futur në procedurë të falimentimit dhe Gjykata ka caktuar një administrator të ndërmarrjes në falimentim.
Falimentimi i ndërmarrjes është bërë me kërkesë të Kreditorit “Standard Bank” PLC, me seli në Mbretërinë e Bashkuar për borxhin që “Coresteel” Sh.p.k. ka ndaj kësaj banke.

“Llamkos” është shitur përmes shitjeve të aseteve me likuidim në muajin gusht 2011 dhe ka qenë nën monitorim për periudhën pesë vjeçare që i bie deri në datën e njëjtë të vitit 2016.

Blerësi kishte marrë obligim për të investuar një shumë prej 100 milionë euro brenda pesë vitesh (25 milionë euro në fazën e parë, 45 milionë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 30 milionë euro), si dhe për punësimin e numrit të përgjithshëm prej 1861 punëtorëve (437 punëtorë në fazën e parë, 637 punëtorë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 787 punëtorë).

Mirëpo, blerësi sipas Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Llamkos-it,jo që nuk nuk përmbushi zotimet , por la pa punë mbi 450 punëtorë. Sindikata e punëtorëve të këtushëm gjatë vitit të kaluar kishte kërkuar ndihmë nga Qveria e Kosovës, kryeministri dhe presidentja me qëllim që të ndalet falimentimi i Fabrikës Llamkos në Vushtrri. Ndërsa ,kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku , përpos nga instancat më të larta shtetërore, ndihmë kishte kërkuar edhe nga Ambasadori Britanik në Kosovë, Ian Cliff. /Telegrafi/

Exit mobile version