Site icon Telegrafi

Sot protestohet kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës sot në mesditë do të organizojë një protestë para ndërtesës se Kuvendit Komunal të Kamenicës për të kundërshtuar mbylljen e shkollave në këtë komunë.

SBASHK-u, nëpërmjet një reagimi, thotë se kanë pritur dialog e mirëkuptim, ndërsa shton se kryetari i komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati do të ndjejë unitetin e SBASHK-ut.

“U përball me kundërshtime nga prindërit, mësimdhënësit e nxënësit gjatë gjithë verës. Iu bë me dije publikisht qëndrimi i SBASHK-ut kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë, por Qëndron Kastrati i trimëruar nga heshtja e MASHT-it, që është e nënkuptueshme sepse Shyqiri Bytyqi kurrë nuk ishte ministër e aq më pak tani kur aderoi në partinë e Qëndronit, i trimëruar edhe nga shkrimet në stilin e tregimeve humoristike të Bexhet Shalës në emër të KMLDNJ-së, që merr thua në mua dhe tani më nxjerr si njeriun e dytë në botë, pas Trampit, vazhdon të sillet Qëndroni në stilin e sulltanit dhe krijon lista për tepricat teknologjike, nuk ua jep tekstet shkollore nxënësve, tekste këto të botuara nga buxheti i shtetit, kërcënon me suspendime nga puna dhe krekoset se kryetarët tjerë në komunat e Kosovës nuk paskan guxuar të bëjnë mbyllje shkollash e përjashtime masive nga puna të punëtorëve të arsimit, që kanë vite të tëra përvojë në arsim. Qëndroni mundohet edhe të krijojë situata të dhunës e përplasjeve mes mësimdhënësve duke iu ofruar gënjeshtra se do t’i sistemojë disa nëse e përkrahin e do t’i ndëshkojë të padëgjueshmit”, thuhet në reagim.

SBASHK thotë se ka pritur dialog dhe mirëkuptim për zgjidhjen e drejtë të gjendjes tepër të rëndë.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka marrë vendim për mbylljen e 19 shkollave të kësaj komune në emër të reformave në arsim, të cilat janë kundërshtuar ashpër nga banorët dhe SBASHK-u. /Telegrafi/

Exit mobile version