Formalitetet rreth vazhdimit të mandatit të EULEX-it nuk kanë përfunduar as ditën kur misionit evropian për sundim të ligjit i skadoi mandati dyvjeçar.
Megjithatë Qeveria ka konfirmuar arritjen e pajtimit me Brukselin për jetëgjatësinë e EULEX-it. Po, paralajmërimi i kryeministrit Isa Mustafa se gjatë ditës së mërkurë do ta votojnë letërkëmbimin e Brukselit dhe ndryshimet ligjore për këtë mision, të cilat pastaj do ta marrin fuqinë e marrëveshjes ndërkombëtare në Kuvend, nuk doli i saktë, shkruan sot Koha Ditore.
Shefja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini, nuk i është përgjigjur ende letrës së presidentit Hashim Thaçi.
Tani votimi i tij është thënë se do të ndodhë sot (e enjte) në Qeveri, dhe të njëjtën ditë do t’i procedohet Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme për ta votuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Megjithëse nuk ishte në agjendën e Qeverisë të mërkurën EULEX-i, kryeministri Isa Mustafa ka thënë të jetë arritur marrëveshja që misionit t’i zgjatet jeta edhe për dy vjet në Kosovë. Ai foli për takimet e zhvilluara një ditë më parë përkitazi me mandatin e misionit.