Pas takimit të sotëm koordinues mes kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe koordinatorëve të grupeve të deputetëve, pritet të mësohet nëse sot do të nënshkruhet data për mbajtjen e referendumit për marrëveshjen me Greqinë.
Opinioni është në pritje edhe të vendimit të OBRM-PDUKM-së për këtë çështje, koordinatori i së cilës nuk merr pjesë në këto takime, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nuk ka informacione zyrtare nëse ka ndonjë marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës, ndërsa jozyrtarisht mësohet se gjithçka është vendosur në marrëveshjen mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit.
Kryeministri Zoran Zaev dhe disa funksionarë tjerë ditëve të fundit njoftuan se referendumi mund të mbahet më 30 shtator, pa dallim nëse OBRM-PDUKM-ja do ta përkrah ose jo.
Disa media gjatë ditës së djeshme njoftuan se në vendimin për datën e referendumit do të caktohet edhe pyetja të cilën Zoran Zaev më herët e publikoi: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, përmes marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.
Përndryshe, dita e sotme në Kuvend do të fillojë me deklaratat solemne të anëtarëve të rinj të KSHZ-së, me çka edhe zyrtarisht do të fillojnë punën./Telegrafi/