Telegrafi

Përfundon konvertimi i patentë shoferëve nga ato ilegale në RKS, nga e hëna shqiptohen gjobat

Sot është afati i fundit për konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se deri tani janë konvertuar 6 mijë e 509 patentë-shoferë.

Ai bëri të ditur se këto të dhëna janë të datës 23 gusht.

Numri më i madh i konvertimeve është bërë në Leposaviq, gjithsej 2018 patentë shoferë, Mitrovicë veriore 1576, Zveçan 1177 dhe Zubin Potok 961.

Elshani më herët kishte njoftuar se ditur se nga dita e hënë do të vazhdohet me gjobitje me tiketa, të cilat sipas tij do të jenë në vlerë nga 500 deri në 1500 euro.

Procesit të pajisjes me patentë shofer të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), sidomos për ato me regjistrimin KM (Mitrovica e Kosovës).

Procesi i riregjistrimit të automjeteve, i cili ka zgjatur prej fundit të vitit 2022 deri në mesin e dhjetor të vitit 2023, ka nxitur një sërë krizash në veri të Kosovës: daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, protesta, barrikada, bojkot të zgjedhjeve./Telegrafi/

Tabela e konvertimeve deri të premten (23 gusht)