Sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, një figurë e shquar në skenën e operës botërore, ka qenë së fundmi e ftuar në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
Në intervistën e thellë dhe reflektive, sopranoja me origjinë nga Mitrovica tregoi me zemër hapur për udhëtimin e saj drejt suksesit dhe sfidat që i janë kundërvënë gjatë rrugës.
Mes të tjerash, zëri brilant kosovar ka ndarë me dëgjuesit përvojat e saj duke u nisur nga fillimet e saj të modeste dhe të vështira në kryeqytetin e Kosovës.
Elbenita tregoi se si shpërngulja nga Mitrovica në Prishtinë gjatë viteve të studimeve ishte shumë e vështirë financiarisht, aq sa i është dashur të punësohet fillimisht në një butik si shitëse, gjatë kohës që ndërmori rrugën për t’u bërë artiste.
“Kur fillova studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Arteve, një periudhe jo shumë e lehtë për mua sepse si studente ishim familje me shumë fëmije dhe ishte mundim shum i madh për të na shkolluar, por fillova menjëherë punë në një butik edhe e përkrahja vetën”, tha Kajtazi.
Më tej, ajo shtoi se një vend i rezervuar për të në Filharmoninë e Kosovës, i ndihmoi asaj edhe më tej në arritjen e qëllimeve, ndonëse synimet e saj ishin akoma edhe më lart.
“Për fat të mirë, u angazhova me Filharmoninë e Kosovës që në vitet e mia studentore dhe aty arrita të tërheq një pagë bazë të cilën e shfrytëzoja për të jetuar dhe për të vazhduar studimet. Megjithatë, për ambiciet e mija, ajo pagë ishte shumë e vogël. Kisha ëndrra të mëdha dhe për t’i realizuar ato, duhej të bëja shumë më tepër”, tha Elbenita përballë Kryeministrit Rama.
Kajtazi, tashmë një emër në ngritje dhe e kërkuar nga skenat më të mëdha të operës, thekson se këto sakrifica dhe vështirësi në fillimet e saj janë transformuar në pjesë të historisë së pasur që ajo ndan me njerëzit. /Telegrafi/