Telegrafi

Sot nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Sot kur nis i 38-ti edicion, Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare mbush 45 vjet.

Një nga ngjarjet kryesore në fushën e albanologjisë, do të mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.

“Kemi pasur mbi 130 kërkesa të atyre që kanë qenë të interesuar për të marrë pjesë në seminar. Kryesisht studentë të cilët duan ta mësojnë gjuhën shqipe. Krahas kësaj, ka mbi 70 punonjës tjerë shkencorë që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore që organizohen në kuadër të seminarit”, ka thënë drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi. “Do të organizohet një tryezë shkencore me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit. Një tjetër tryezë shkencore është për 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit arbëresh, Anton Santorit. Do të shënohen përvjetorët e vdekjes së dy albanologëve të shquar, të profesorit amerikan Eric Hamp dhe të themeluesit të seminarit, Idriz Ajetit”.

Në fushën e gjuhësisë, tema e sivjetme do të jetë “struktura e shqipes aktuale”; në fushën e letërsisë, tema bosht e sesionit do të jetë “si ëndërrohet në letërsinë shqipe”; ndërkaq, në fushën e kulturologjisë, tema bosht e sesionit do të jenë “rrjetet sociale, politika dhe etika”.

Seminari do të zgjasë deri më 30 gusht. /KP/