Site icon Telegrafi

Sot nis periudha e aplikimit për çmime të barnave

Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale ka marrë disa vendime në funksion të zbatimit të plotë të udhëzimit administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të produkteve medicinale në sektorin farmaceutik në vend.

Sipas MSh-së, ky udhëzim do të rregullojë çmimet e produkteve të cilat janë pjesë e furnizimeve për institucione publike shëndetësore, atyre të cilat do të jenë të rimbursuara nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme, për produktet medicinale të cilat janë subjekt i përshkrimit mjekësor (recetës) në mënyrë që të adresojmë në tërësi këtë problematikë të çmimeve të produkteve medicinale.

“Komisioni në mbledhjen e mbajtur ka miratuar rregulloren e punës, si dhe anëtarët e komisionit kanë nënshkruar deklaratën mbi konfliktin e interesit. Sipas afateve të përcaktuara në këtë fazë është aprovuar edhe plani i veprimit, si dhe afatet për hapjen e periudhës së aplikimeve nga mbajtësit e autorizimit të marketingut për çmimet e produkteve medicinale. Kjo periudhë është vendosur të jetë prej 1 – 30 shtator 2019, pas së cilës pastaj do të bëhet shqyrtimi dhe analiza e këtyre aplikacioneve sipas metodologjisë së përcaktuar në këtë udhëzim. Formati i aplikacionit është shtojcë e Udhëzimit administrativ dhe obligativ për t’iu përmbajtur duke e dorëzuar atë të plotësuar në arkivë të Ministrisë së Shëndetësisë për Divizionin e Farmacisë – Sekretarinë teknike të Udhëzimit 02/2019. Gjithashtu, i njëjti aplikacion në formatin elektronik në Excel duhet të dorëzohet edhe në e-mail adresën: msh.info@rks-gov.net Të dhënat lidhur me udhëzimin, aplikacionet, afatet dhe informata tjera të rëndësishme rreth këtij procesi gjithashtu do të publikohen në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë (msh-rks-gov.net) dhe do të jenë të qasshme për palët e interesuara”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Exit mobile version