Site icon Telegrafi

Sot nis edicioni i pestë i Peja Jazz Festival

Foto: Facebook

Edicioni i 5-të i Peja Jazz Festival nis sot në Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë, duke shënuar fillimin e një programi të pasur muzikor që do të zgjasë deri më 3 nëntor.

Ky festival do të mbledhë emra të shquar të muzikës xhaz nga e gjithë bota, duke ofruar një përvojë kulturore dhe artistike për qytetin e Pejës dhe për të gjithë adhuruesit e muzikës xhaz.

Nata e parë e festivalit do të hapet me një performancë nga artistja ndërkombëtare Laura Prince. E lindur nga prindër me prejardhje nga Togo dhe Franca, Laura është vokaliste dhe kompozitore me një stil autentik dhe prekës, që reflekton rrënjët e saj të thella kulturore. Përformanca e saj do të shoqërohet nga pianisti Julian Caetano, i cili njihet për interpretimin e tij të ndjeshëm në skenën e xhazit.

Muzika e Laurës prek tema universale si frikërat e fëmijërisë, zemërthyerjet, dhe lidhjet kulturore, duke krijuar një atmosferë intime dhe reflektuese për publikun. Julian, që në moshë të re ka kultivuar dashurinë për muzikën dhe xhazin, do të sjellë një performancë të sofistikuar dhe harmonike, e cila pasuron më tej përvojën e festivalit.

Peja Jazz Festival 2024 synon të jetë një platformë për promovimin e xhazit dhe bashkëpunimeve ndërkulturore, duke prezantuar artistë me zëra të veçantë dhe duke shpalosur emocione muzikore.

Përgjatë katër netëve të ardhshme, audienca do të ketë mundësinë të shijojë një gamë të gjerë interpretimesh që do të përfshijnë tingujt e instrumenteve të veçanta dhe ritme nga kultura të ndryshme.

Edicioni i 5-të i Peja Jazz është duke u realizuar me mbështetjen e Anibar, Kinema Jusuf Gërvalla, Ambasada e Japonisë në Kosovë, Ipko Telecommunications, Ministria e Rinisë, Kulturës, dhe Sportit, Bashkimi Europian, Ambasada e Hungarisë në Kosovë, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez, London Taxi, Baker Tilly, Agrocoop and Deep Yellow.

Exit mobile version