Site icon Telegrafi

Sot nënshkruhet marrëveshja për heqjen e roamingut për Ballkanin Perëndimor

Vendet e Ballkanit Perëndimor sot do të nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming, që zbatohet në kuadër të telekomunikimit, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Kosova.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë do të nënshkruhet në Samitin e dytë Dixhital, që po të mbahet në Beograd.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, do të jetë pjesëmarrës në nënshkrimin e marrëveshjes.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Kurse në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Digjital të mbajtur në Shkup, ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të romingut mes vendeve të Ballkanit.

Samitin, përndryshe, pritet ta hapë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Në këtë takim është paralajmëruar se do të jenë ministra të ndryshëm të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian si dhe Komisionit Evropian, industrinë e IT dhe ekonominë e rajonit dhe botës.

Ndërsa nga Kosova pjesëmarrës do të jenë përfaqësues të organizatave të teknologjisë dhe inovacionit. /Telegrafi/

Exit mobile version