Të martën (25 tetor), hëna do të kalojë para diellit duke shkaktuar një eklips të pjesshëm diellor, eklipsi i fundit diellor i vitit 2022.
Sipas Space.com, përcjell Telegrafi, eklipsi i dytë dhe i fundit diellor i këtij viti do të jetë i dukshëm vetëm nga disa zona të Tokës— kryesisht pjesë të Evropës, Afrikës dhe Azisë.
Ky eklips nuk do të jetë i dukshëm në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse miliona vëzhgues në të gjithë Tokën nuk do të jenë në gjendje të shohin personalisht eklipsin e pjesshëm diellor, ata mund ta shikojnë ngjarjen diellore drejtpërdrejt në internet në një sërë faqesh interneti.
Koha e fillimit të eklipsit do të varet nga vendi ku janë vendosur vëzhguesit e globit.
Eklipsi do të fillojë mbi Oqeanin Atlantik në orën 08:58:20 me Kohën Universale (GMT), e cila do të jetë rreth orës 4:58 të mëngjesit EDT. Ai do të përfundojë në orën 9:01 të mëngjesit EDT (1301 GMT).
Ashtu si të gjithë eklipset diellore, të pjesshme apo totale, eklipsi diellor i së martës do të jetë i dukshëm vetëm nga pjesë të caktuara të globit.
Kjo për shkak se Hëna është shumë më e vogël se Toka, kështu që hija e saj mund të mbulojë vetëm një zonë prej disa qindra kilometrash.
Ndryshe, “Astronomët e Kosovës” përmes një njoftimi ditë më parë kanë bërë të ditur se “më 25 tetor 2022, ju ftojmë të vrojtoni me ne Eklipsin e Diellit, fenomen spektakolar që paraqitet kur Hëna pozicionohet mes Diellit dhe Tokës, me ç’rast një pjesë e sipërfaqes tokësore eklipsohet nga Hëna”.
“Ky fenomen do të jetë pjesërisht i dukshëm nga Kosova, dhe do të zgjasë rreth dy orë. Stafi ynë ju fton të vrojtoni bashkë me ne nëpërmjet pajisjeve tona optike të sigurta, të dizajnuara ekskluzivisht për vrojtimin e Diellit, të cilat do t’i vendosim tek sheshi ‘Skendërbeu’ në Prishtinë. Organizata jonë gjithashtu do të shpërndajë syze solare falas për të gjithë pjesëmarrësit. Aktiviteti ynë fillon nga 11:30 – 14:00”, ishte shkruar në një njoftim.
Ndërkohë, MeteoKosova, shkruan që eklipsi “të mos shikohet me sy të lirë, nëse nuk keni syze solare, të shikohet shkurtimisht me ndonjë rentgen tek pjesa e errësuar, përfshirë edhe syzat e diellit!”. /Telegrafi/