Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër proçesin e vaksimit me njësitë e lëvizshme në zonën e Shkozës, në periferi të Tiranës. Manastirliu tha se përgjatë periudhës së verës do të jemi derë më derë, për të vaksinuar qytetarët me njësitë e lëvizshme, edhe në ato zona ku aksesi ka qenë i pamundur deri tani.
“Përgjatë gjithë verës ne do të jemi derë më derë, duke vijuar fushatën tonë të vaksinimit edhe nëpërmjet njësive të lëvizshme. Po shkojnë në zonat e thella të vendit, duke mundësuar që të kemi një rritje të mbulesës vaksinale për grupmoshat e përcaktuara”, tha Manastirliu.
“Ndërkohë që vijojmë dhe presim furnizimin e vazhdueshëm me vaksina, sot vijnë edhe 18,720 doza te vaksinave Pfizer, ndërkohë që përgjatë këtyre muajve, korrik-gusht do të kemi një furnizim të bollshëm në vaksina, rreth 500 mijë doza të vaksinave, të cilat do të mbërrijnë për të siguruar një qëndrueshëmri në programin tonë të vaksinimit”, tha Manastirliu, njofton TV Klan.
Ministrja e Shëndetësisë tha se do të intensifikohet procesi i vaksinimit, duke bërë me dije se ditët e hapura të vaksinimit do të vijojnë përgjatë korrikut dhe gushtit, për qytetarët mbi 18 vjeç.
Drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami u shpreh se vaksinimi me njësitë e lëvizshme do të shtrihet me shtatë njësi lëvizëse në të gjithë territorin, duke rritur aksesin për qytetarët. Ndërsa drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico u shpreh se është shumë e rëndësishme që qytetarët t’i kryejnë të dy dozat e vaksinës, për të siguruar efektivitetin e nevojshëm për t’u mbrojtur nga COVID19.
Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 1,022,802 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 434,926 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.