Site icon Telegrafi

Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme, në rend dite Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike

Foto: Arkiv

Sot do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ndërsa në rend dite do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Seanca e jashtëzakonshme do të mbahet në ora 11:00.

Para mbajtjes së seancës së jashtme mbledhje do të mbajë Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, që në rend dite do ta ketë votimin e raportit me amendamente të  Komisionit Funksional në Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.

Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës me anë të një njoftimi për media pati sqaruar  se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet e tyre nga ky institucion.

“Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, thuhej në njoftimin e Trustit, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, Ligji dërgohet tek ushtruesja e detyrës së presidentes për shpallje. Ndërkaq, ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version