Provimi i maturës shtetërore do të mbahet sot prej orës 10:00 në të gjitha komunat e vendit.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se i ka realizuar të gjitha përgatitjet për organizmin e këtij provimi, duke theksuar se në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës. Ndërsa, ka bërë të ditur se në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë.
Sipas MASHTI-t, provimi do të organizohet në 178 qendra të testimit.
“Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master). Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit”, ka njoftuar MAShTI.
Mediat do të mund të filmojnë në çdo qendër të votimit vetëm para fillimit të provimit të maturës.
“Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi. Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit”, është bërë e ditur në njoftimin e ministrisë.
MAShTI ka bërë të ditur se rezultatet e provimit të maturës shtetërore pritet të shpallen më datën 3 korrik. /Telegrafi/