Telegrafi

Sot mbahet greva dy orëshe në arsim

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme sot ka filluar greva dy orëshe në shenjë pakënaqësie ndaj mos përmbushjes së kontratës kolektive nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas SBASHK-ut për të parë nga afër se si po rrjedh greva nëpër komunat e Kosovës dhe për të bashkëbiseduar me arsimtarët grevistë, Këshilli Grevist Qendror gjatë së enjtes do të vizitojë disa nga shkollat fillore dhe të mesme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në orën 8 ka qëndruar në shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë.

Ndërsa në orën 8:50 do të vizitojë shkollën fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Sipas komunikatës pjesa tjetër e Këshillit Qendror Grevist do të jetë në lëvizje nëpër shkollat e komunave të Kosovës.

Kjo është hera e dytë që në arsim bëhet një grevë e tillë. Më 14 janar ora e parë e dy ndërrimeve është bojkotuar nga pothuajse të gjitha shkollat e Kosovës.

SBASHK-u ka paralajmëruar edhe hapa tjerë sindikalë nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre për zbatimin e Kontratës Kolektive. /Telegrafi/