Telegrafi

Kuvendi sot me dy seanca, në rend dite edhe Projektligji për rimëkëmbje ekonomike

Sot do të ketë vazhdim të seancës plenare me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, si dhe do të mbahet seancë e re plenare.

Në vazhdim të seancës plenare në rend dite do të jetë ndër të tjera votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së dhe votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike-COVID-19, raporton Telegrafi.

Ndërsa, në seancën e re do të jetë kryeministri Avdullah Hoti, i cili do të raportojë për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa ministri i Arsimit, Ramë Likaj do të jetë në interpelancë në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Vazhdimi i seancës plenare do të jetë nga ora 10:30.

Rendi i ditësa

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 13, 14, 23 korrik dhe 7 gusht 2020:

Votimi Propozim-Rezolutës lidhur me menaxhimin e Pandemisë COVID-19, të propozuar nga GP i LVV-së,

Votimi i rekomandimeve lidhur me menaxhimin e Pandemisë COVID-19, të propozuar nga GP i PDK-së.

Pika e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 23, 24 korrik dhe 7 gusht 2020:

Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit  të Kosovës, pas lejimit të  përmbarimit të Vendimit Përfundimtar OEN nr. 20990/MHM, të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Paris, të propozuar nga GP i LVV-së.

Pika e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 7, 13 dhe 14 gusht 2020:

Votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Pika e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 14 gusht 2020:

Votimi në parim i Projektligjit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Ndërkaq, seanca e re plenare do të mbahet nga ora 11:00.

Rendi i ditës

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës,

Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007,

Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019,

Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

Zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar  në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/