Sot zyrtarisht në mënyrë solemne zyrtarët qeveritar e kanë lëshuar në përdorim teleferikun e ri me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit.
Kryeministri teknik Oliver Spasovski, tha se lëshimi në përdorim i teleferikut të ri e thekson mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e Kodrës së Diellit. Kjo sipas tij, tregon mënyrën dhe vendosmërinë e Qeverisë dhe Elektranave (EMV) për zhvillimin e Kodrës së Diellit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Duhet të bëhet plan dhe strategji se si duhet të zhvillohet dhe cili është qëllimi përfundimtar me Kodrën e Diellit. Në këtë drejtim duhet të angazhohemi të gjithë, në këtë mënyrë e tregojmë vullnetin tonë politik, kemi përpunuar plan detal dhe shpallje të Kodrës së Diellit për zonë të mbrojtur”, tha Spasovski.
Drejtori i përgjithshëm i Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV), Vasko Kovaçevski, tha se për ndërtimin e teleferikut janë harxhuar 10 milionë euro.
Ndërsa ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, tha se qeveria ka punuar edhe në infrastrukturën rrugore me qëllim që Kodrës së Diellit t’i kthehet epiteti i qendrës kryesore dimërore në rajon.
Ndryshe, teleferiku i ri ka kapacitetet prej 2400 udhëtarëve në orë, ndërsa e ka ndërtuar kompania ndërkombëtare “Linter”./Telegrafi/