Sot do të lansohet pilot projekti i Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Komunën e Prishtinës, pilotim ky që do të bëhet për herë të parë në Kosovë.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se ky projekt realizohet me qëllim të prezantimit të projektit pilotues mbi skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Prishtinë, që është pjesë e Programit Nacional për Kontroll të Kancerit në Kosovë.
Ky projekt synon të shërbejë si model në krijimin dhe implementimin në tërësi të programit nacional të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Kosovë.
“Me rastin e pilotimit, do të kontrollohen rreth 2,000 gra pa pagesë nga Komuna e Prishtinës, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda mjekësisë familjare në Prishtinë, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH (Kujdesit Parësor Shëndetësor) dhe KTSh (Kujdesit Tretësor Shëndetësor) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke qenë se Instituti i Patologjisë brenda QKUK-së është i vetmi laborator citologjik në sektorin publik në Kosovë. Fushata mediale e vetëdijesuese me të cilën do të bëhen thirrjet e hapura për gratë dhe vajzat për të kryer Pap-testet do të lansohet së shpejti”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të mjekësisë familjare, palët synojnë po ashtu që të iniciojnë diskutime në mes të institucioneve dhe grupeve të interesit me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit.
“Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, thuhet më tej në njoftim.
Lansimi do të bëhet sot, duke filluar nga ora 11:00, në Hotelin Sirius në kryeqytet.