Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se sot do të bëhet inaugurimi i projektit të Shkollës Fillore “Zenel Salihu”.
Përmes një komunikate, kanë njoftuar se ky projekt është pjesë e programit “Kosova e bukur”, i cili mbështet komunat në përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe sociale, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e tyre, mirëpo edhe për të gjeneruar vende pune afatshkurtra për personat e papunësuar për një kohë të gjatë në Kosovë.
“Përmes këtij projekti është ndërtuar një shkollë e re me 520m2 e cila do të akomodojë 115 nxënës dhe 15 mësimdhënës. Në të kaluarën, këta nxënës ndiqnin mësimin në një ndërtesë shumë të vjetër, e cila kishte kushte teknike shumë të këqija dhe nuk ishte e sigurt. Përveç ndërtesës së re të shkollës, është ndërtuar edhe një oborr i ri shkolle me shtigje për ecje, hapësira të gjelbra, ulëse, ndriçim dhe shporta për mbeturina”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, në kuadër të njëjtit program, sot do të bëhet edhe inaugurimi i kopshtit të ri të fëmijëve në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.
Foto: Ilustrim