Panairi më i madh i librit në botë, sot hap dyert në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”.
Janë mbi 7,500 ekspozues me mbi 285,000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Panairi i Librit këtë vit fokusohet në temën e përkthimit në shumë drejtime: në gjuhë të tjera, format e tjera të mediumeve dhe konteksteve – dhe nevojës për mirëkuptim dhe komunikim ndërkulturor.
Nën moton “Creatividad Desbordante”, e ftuar e nderit e këtij viti, Spanja, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese. Përmes letërsisë, do ta zbulojmë këtë vend magjepsës.
Tetori shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt. Duke filluar nga fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi 2021, Abdulrazak Gurnah, me fituesen e Çmimit Goncourt Leila Slimani, e shkrimtarë të tjerë si: Elvira Sastre, Donna Leon, Florian Illies, Florence Shekete, Melanie Raabe, etj., do të jenë të pranishëm në ambientet e panairit.
Kosova është e pranishme në sallën 4.0 stenda C99, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.
Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani.
Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.