Telegrafi

Sot hapet Forumi ekonomik i Davosit

Takimi që hapet sot është i pari pas krizës, thotë themeluesi i këtij forumi dhe kreu ekzekutiv Klaus Shuab. “Kemi shmangur pjesën më të rëndë të krizës por nuk kemi filluar ende të ndërtojmë të ardhmen tonë. Davosi është forumi i duhur për t’i hedhur një vështrim realitetit të ri dhe se si mund të ndërtojmë të ardhmen tonë”, thotë Shuab.

Pavarësisht nga pasiguritë për ekonominë, organizatorët e takimit vjetor 5 ditor ku do të marrin pjesë 2 mijë e 500 udhëheqës politikë dhe të biznesit nga 26 deri në 30 janar janë optimistë se debatet, diskutimet dhe shkëmbimet e ideve mund të ofrojnë një kuadër pas tre vjetësh trazirash globale financiare dhe ekonomike.

“Mendoj se ky takim duhet të shikojë një realitet të ri që mbështetet tek zhvendosja e pushtetit gjeopolitik nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje dhe mendoj se kjo është e reflektuar në pjesëmarrjen e këtij forumi, politikisht dhe ekonomikisht”.

Në listën e udhëheqësve që marrin pjesë në takim janë Presidenti Felipe Kalderon i Meksikës, Kryeministri britanik David Kameron, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Nikola Sarkozi, të gjithë pjesë e grupit të 20 vendeve më të zhvilluara.

Presidenti rus Dmitri Medvedev ka shtyrë nisjen për në Zvicër pas sulmit në aeroportin e Moskës që shkaktoi vdekjen e të paktën 31 personave. Megjithatë ai do të mbajë fjalimin hapës nesër në mbrëmje. / Telegrafi/