Site icon Telegrafi

Sot fillon konferenca ndërfetare, dy nobelistë arrijnë në Kosovë

Një ndër takimet më të mëdha të dialogut ndërfetar në Evropë fillon sot në Prishtinë.

Mbi 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës, përfshirë edhe shumë sosh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do të mblidhen për 3 ditë për të diskutuar rolin e gruas në luftimin e ekstremizmit. Në Prishtinë kanë arritur edhe Nobelistët e paqes, Shirin Ebadi dhe Tawakkol Karman.

Prishtina sot do të jetë nikoqire e një takimi të madh, të pestin me radhë të titulluar Interfaith Kosovo. Në këtë konferencë sivjet pjesëmarrjen kanë konfirmuar shumë pjesëmarrës, përfshirë edhe liderë fetarë nga Argjentina, Jemeni, Amerika, Kuba, Tajlanda, Nigjeria, si dhe mbi 45 shtete tjera nga mbarë rruzulli tokësor.

Konferenca, e cila sivjet organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, titullohet “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit” dhe është e organizuar nga disa organizata që promovojnë dialogun si Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, “Tony Blair Faith Foundation”, ndërsa mbështetës janë Ministria e Punëve të Jashtme, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ambasada Amerikane, Ambasada Kanadeze, Ambasada Norvegjeze, si dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

300 pjesëmarrës do të marrin pjesë në panele të ndryshme që i dedikohen temave që kanë të bëjnë me familjen, rolin e gruas, pastaj gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale.
Konferenca Interfaith Kosovo sivjet do të ndajë edhe Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar, që sivjet sipas informacioneve që kemi, do ta marrin Kryetari i Londrës, Sadik Khan, si dhe Monsignor Vincenzo Paglia.

Exit mobile version