Telegrafi

Sot fillon konferenca ndërfetare, dy nobelistë arrijnë në Kosovë

Sot në Prishtinë fillon një ndër takimet më të mëdha të dialogut ndërfetar në Evropë. Konferenca ndërfetare do të filloj në orën 17:00, në Hotel Swiss Diamond.

Në të do të marrin pjesë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës, përfshirë edhe shumë sosh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ata do të mblidhen për tri ditë për të diskutuar rolin e gruas në luftimin e ekstremizmit.

Në Prishtinë kanë arritur edhe Nobelistët e paqes Shirin Ebadi (Iran) dhe Tawakkol Karman (Jemen).

Prishtina për herë të pestë do të jetë nikoqire e këtij takimi të madh, të titulluar Interfaith Kosovo.

Sipas një njoftimi të MPJ-së, në këtë konferencë sivjet pjesëmarrjen kanë konfirmuar shumë pjesëmarrës, përfshirë edhe liderë fetarë nga Argjentina, Jemeni, Amerika, Kuba, Tajlanda, Nigeria, dhe mbi 45 shtete tjera nga mbarë rruzulli tokësor.

Konferenca titullohet “Roli i Gruas në Promovimin e dialogut Ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit” dhe është e organizuar nga disa organizata që promovojnë dialogun si Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, Tony Blair Faith Foundation, ndërsa mbështetës janë Ministria e Punëve të Jashtme, Kuvendi i Kosovës, Ambasada Amerikane, Ambasada Kanadeze, Ambasada Norvegjeze si dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Pjesëmarrësit do të marrin pjesë na panele të ndryshme që dedikohen temave që kanë të bëjnë me familjen, rolin e gruas, pastaj gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale. Konferenca Interfaith Kosovo sivjet do të ndajë edhe Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar, të cilin do ta marrin kryetari i Londrës Sadik Khan dhe Monsignor Vincenzo Paglia, themelues i Komunitetit të Sant’Egidio”, thuhet në njoftimin e MPJ-së. /Telegrafi/