Site icon Telegrafi

Sot fillon Java Globale e Ndërmarrësisë

Për të katërtin vit me radhë, 35 organizata dhe institucione partnere, me më shumë se 50 aktivitete, shënojnë Javën Globale të Ndërmarrësisë, prej 14-20 nëntor.

Me organizim të Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe nën patronatin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, sot hapet Java Globale e Ndërmarrësisë, njëkohësisht në 165 shtete të botës. “Java Globale e Ndërmarrësisë është ngjarja më e madhe festive e ndërmarrësisë në botë, e cila bën bashkë ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës dhe akterë tjerë, që për qëllim kanë zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik” thekson Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo, nikoqir i Javës Globale të Ndërmarrësisë.

Përgjatë një jave në muajin nëntor, GEW promovon ndërmarrësin nëpërmjet aktiviteteve lokale nëpër shtete të ndryshme, të dizajnuara për të vënë në pah potencialin e ndërmarrësve të rinj dhe inovatorëve. Aktivitetet variojnë nga garat, takimet kokë më kokë, prezantimet, trajnimet profesionale, rrjetëzimet, mentorimet, aktivitetet sociale dhe ligjëratat nga mysafirë të mirënjohur të fushës.

GEW është më shumë sesa një kampanjë vetëdijësuese. GEW është platformë për ndërlidhje dhe bashkëpunim ndër shtetëror, me qëllim të forcimit të ekosistemit botëror në fushën e ndërmarrësisë. Në vitit 2015, në mbarë botën janë regjistruar 30,000 aktivitete, me mese 10 milion pjesëmarrës të drejtpërdrejt.

E gjitha ka filluar nga idea që njerëz nga e mbarë bota të zbulojnë talentin dhe të fillojnë rrugëtimin si ndërmarrës. Më 2007 përfaqësues nga 37 shtete, udhëhequr nga Jonathan Ortmans (President i GEW), e shpallën të hapur kampanjën globale, e cila në fillet e saj u mbështet nga Carl Schramm (ish CEO në Kauffman Foundation) dhe Gordon Brown (ish-kryeministër i Britanisë së Madhe).

Që nga Qershori të vitit 2013, Innovation Centre Kosovo është nikoqir zyrtar i GEW për Republikën e Kosovës. Qëllimi i GEW Kosova është motivimi i të rinjëve për të konsideruar ndërmarrësinë si rrugën e tyre të së ardhmes. GEW Global dhe GEW Kosova punojnë bashkë në krijimin e rrjetit të organizatave partnere dhe komunitetit të liderëve lokal, si promotorë të përhershëm të vlerave të GEW, përgjatë tërë kohës.

GEW po ashtu shërben si platformë për lidhjen e ndërmarrësve të rinj dhe inovatorëve të Kosovës me ndërmarrës, partnerë, investitorë dhe klientë nga të gjitha shtetet e pjesëmarrëse.

Më 2014, për herë të parë, GEW Kosova u organizua nën patronatin e ish-Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga.

Gjatë Kongresit Global të Ndëmarrësisë, të mbajtur në Medellin të Kolumbisë, në Janar të vitit 2016, Kosova fitoi çmimin “Brand & Community Champions”, si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe organizimit të mirëfilltë të komunitetit dhe kampanjës promovuese të GEW 2015. GEW2016 mbështetet nga Ambasada e Suedisë, Ambasada e SHBA-ve dhe USAID.

Për më shumë informata klikoni Këtu. /Telegrafi/

Exit mobile version