Nga sot Partia Demokratike e Kosovës ka hapur kandidaturën për kryetar të ri të këtij subjekti, pozitë kjo të cilën e mbante presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi.
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues, u tha se po bëhen përgatitjet e duhura që më 7 maj të mbahet Konventa, në të cilën do të bëhet vetëm zgjedhja e kryetarit të ri, dhe nuk do të ketë proces zgjedhor.
Kryesia e partisë, u bëri thirrje anëtarëve e strukturave udhëheqëse të PDK-së që të marrin pjesë në garën për të parin e kësaj partie, që deri tani dihet se Kadri Veseli që po e ushtron postin e kryetarit do të jetë kandidat për ta marrë drejtimin e partisë.
Më 7 maj do të mbahet konventa zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së, ndërsa më 8 maj kryetari i ri do t’i drejtohet anëtarësisë me platformën e tij.
Zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së vjen pasi që lideri i saj Hashim Thaçi më 26 shkurt është zgjedhur president i Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës nuk lejon që një president të mbajë poste politike.
Prandaj Thaçi menjëherë pasi mori shumicën e votave nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së.
PDK-ja e cila konsiderohet si parti e krahut të luftës është formuar në vitin 1999 dhe që nga themelimi kryetar i saj ka qenë Hashim Thaçi.