Me moton “Qumështi i vendit tim”, fushata është gjithëpërfshirëse dhe ka për detyrë informimin e qytetarëve të Kosovës për rëndësinë dhe dobitë e konsumimit të qumështit të freskët dhe të pasterizuar.
Qumështi vendor i Kosovës është i kualitetit të lartë dhe përmban të gjithë përbërësit e nevojshëm si proteinat, hidratet e karbonit, yndyrërat, mineralet, dhe vitaminat. Qumështi i freskët konsumohet nga të gjitha grup-moshat e shoqërisë.
Fushata fillon sot me ceremoninë e lansimit në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV), ku do të jenë prezentë shumë mysafirë përfshirë Kryeministrin e Kosovës – Isa Mustafa, Drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë – James Hope, Ministrin e Bujqësisë – Memli Krasniqi, Ministren e Tregtisë dhe Industrisë – Hykmete Bajrami, si dhe Drejtorin Ekzekutiv të AUV-së – Valdet Gjinovci. Gjatë ngjarjes do të prezantohet edhe spoti televiziv (reklama) krijuar enkas për këtë fushatë.
Fushata do të zgjasë deri në mesin e vitit 2017 me aktivitete të ndryshme në tëgjithë territorin e Kosovës, duke përfshirëpromovimin përmes materialeve promovuese, ngjarjeve të ndryshme, reklamës në kanale kombëtare televizive,reklamimit në rrjetet sociale, degustimit në dyqane, etj.
Pjesë përbërëse e promovimit të prodhimit vendor do të jetë edhe vula e origjinës e cila do të vendoset në pakot e qumështit të freskët vendor. Qytetarët po ashtu do të kenë mundësinë që të vizitojnë uebfaqen www.qumeshtiivenditim.com dhe të informohen për më të rejat e fundit rreth fushatës, si dhe faqen zyrtare në facebook https://www.facebook.com/qumeshtiivendittim/.
Me anë të kësaj fushate, Shoqata e Prodhuesëve të Qumështit (SHPQK) dhe Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK) përmes bashkëpunimit strategjik me partnerët gjegjësisht me USAID-in, Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) përqendrohen në promovimin e qumështit të pasterizuar, si produkt i ri në tregun e Kosovës.